
Krasitja e pemës dhe shkurtimi i degëve
Lloji i krasitjes varet nga vjetersia e pemes dhe nga lloji i krasitjes varet dhe masa e prerjeve. Pra, kur pema është e re dhe ka rritje të fuqishme, bëhet krasitja formuese dhe kryhen prerje të lehta.
Kur pema futet në prodhim, bëhet krasitja prodhuese që ka qëllim të ruajë ekuilibrin midis rritjes dhe frutifikimit. Masa e prerjeve varet nga fuqia e rritjes së degëzave vegjetative, ngarkesës me degëza prodhuese, llojit të pemës, fuqisë së pemës, agrotenkikës së përdorur etj. Kur pema fillon plaket, është e nevojshme krasitja e rëndë për ta ripërtëritur ate.
Tek pemët e dobëta degëzat drunore rrallohen në çdo 15-20cm, të tjerat shkurtohen 1/3deri në ½ e gjatësisë të tyre si dhe bëhet shkurtimi i degëve më të vjetra (2- 4 vjeçare), për të pakësuar pikat e rritjes dhe numrin e degëzave prodhuese.
Një krasitje e bërë kur pema del nga qetësia e dimërimit, do të ndikojë shumë negativisht në shëndetin e pemës, jo vetëm për vitin në vazhdim, por dhe për vitet e ardhshme. Kjo pasi lëndët ushqyese që ka rezervuar kryesisht në degët e trasha skeletore dhe trungun e saj kalojnë nga këto pjesë drejt degëve më të reja të pemës, majave. Kështu, me anë të largimit të një pjese apo të shkurtimit të tyre, largohet edhe një pjesë e konsiderueshme e këtyre rezervave ushqimore. Pemët, sidomos ato të rejat me rritje jo të fuqishme dhe të shartuara mbi nënshartesa me rritje të dobët po të krasiten vonë, do të kenë rritje të dobët të lastarëve vjetorë dhe të të gjithë pemës që do ndikojë në zgjatjen e kohës së formimit të kurorës dhe të futjes në prodhim tek pemët e reja, të prodhimtarisë dhe të jetëgjatësisë tek pemët në prodhim.
